Typografi
  • Me tvogla Tvogla Mesme Medha Me tmdha
  • Standart Helvetica Segoe Georgia Times

Këngëtari i njohur Festim Arifi, i njohur nga publiku dhe si Lyrical Son, ka treguar për gazetën Tribuna se së shpejti do të vijë në publik me një projekt të ri. Kënga do të titullohet ‘Shush’, ndërsa përveç këtij krijimi, Lyrical Son nuk ka hezituar të shpalosë edhe planet e mëdha e shumëçka që grupi ‘PINT’ do të sjellë në këtë sezonë. 

Ritmet e tijë janë ato që çdo sezon e përcjellin një masë të madhe të rinisë në vendit tonë. Bëhet fjalë për Këngëtarin e njohur Festim Arifin apo Lyrical Son siç njihet në publik. I njohur për këngët e tekstet që gjithmonë i rrinë karshi gjendjes aktuale, Lyrical Son bën me dije se edhe kësaj radhe shumë shpjet në publik do të vijë me një këngë e cila ka për temë përditshmërinë e vendit. 

“Jam duke punuar në një këngë të re e cila titullohet ‘Shush’. Për këtë titull jam inspiruar nga kënga e Rona Nishliut, ‘Suus’, mirëpo normal kënga ime nuk ka të bëj me këngën e Ronës. Kënga që unë do ta prezantoj shumë shpejt para publikut ka temë sociale. Flet për hallet e përditshme”, ka thënë Arifi në fillim të bisedës për Tribuna, ndërsa ka shpalosur edhe bashkëpunëtorët e tij në këtë projekt. 

“Për këtë këngë kam punuar me Avni Qailin, ndërsa për videoklipin e këngës me produksionin ‘Pink Moon’”. 

Ndërsa gërshetimi i fjalëve në tekst janë arma më e fortë e Lyrical Son, ai thekson se tekstet i shkruan vetë. Madje bën me dije se një pjesë e madhe e emrave të estradës sonë këtë sezon do të kenë tekste nga ky artist. 

“Unë gjithmonë i shkruaj tekstet vetë dhe jo vetëm për vete por edhe për shumë kolegë të mi. Sidomos këtë sezon shumë emra të njohur të estradës sonë do të kenë tekste të mia. Pa dashur të harroj askënd po them që nga diva e skenës Aurela Gace e deri tek më i vogli, kanë tekste nga unë”, ka treguar Festimi. Ai ka shtuar se është i hapur për secilin këngëtar që dëshiron të ketë tekste të tilla. 

“Sigurisht që jam i hapur për cilindo koleg që dëshiron të ketë këngë e tekste të mira. Ne jemi të hapur, PINT janë shumë transparent për çdo gjë”. 

Të mësojnë nga grupi ‘PINT’... 

Përpos angazhimeve personale Lyrical Son nuk harron të përmendë edhe projektin, siç thotë ai, gjigant, që së shpejti do ta sjellë shoku i tijë Mc Kresha. Si një anëtar i devotshëm i shoqërisë ‘PINT’ e cila dita ditës po rritet e po sjell vlera në treg, Festimi nuk heziton të tregojë se albumi i Kreshës do të jetë një projekt i paparë deri tani në tregun tonë. 

“Nuk mund të mos e përmendi që albumi i Mc Kreshës është duke u finalizuar. Do të ketë befasi, instrumentale e bashkëpunime të ndryshme në këtë album. Më besoni që ky projekt është një punë e madhe dhe e paparë deri tani nga rep artistët e njohur. Besoj që edhe nga publiku do të mirëpritet pasi që vërtet po del një punë shumë e mirë e punuar nga një ekip profesional. Pastaj edhe Ergeni i ‘NR’ është duke punuar në projekte të reja, edhe Bima po vjen me një këngë të re me videoklip” e shumë risi tjera”, ka treguar plot entuziazëm rep artisti, duke shtuar për fund se këtë sezon të gjithë mund të shikojnë e të mësojnë nga puna e palodhshme që do na e paraqesin PINT-at. 

“Vërtet po punojmë shumë e po sjellim këngë me vlera të mirëfillta, jo komerciale. Jo vetëm unë, por të gjithë shokët e kolegët e mi në PINT janë të përkushtuar që të sjellim më të mirën për këtë sezon. Dhe mund të them pa hamendje që, gjithë të tjetër, me gjithë respektin që kam, për të gjithë! Munden vetëm të na shikojnë e të mësojnë nga ne!”.